Tek fabrika “Lufra”, patëm mundësinë të ndiqnim nga afër të gjithë ciklin e përpunimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij . Përpara hyrjes në impiantin e prodhimit, iu nënshtruam një procesi të rreptë sterilizimi dhe higjienizimi, duke u pajisur me veshje mbrojtëse, maska e kapuçë dhe duke dezinfektuar këpucët e duart për të garantuar biosigurinë. Këto protokolle rigoroze të tregojnë se sa thelbësore janë standardet shkencore në mjediset e prodhimit .Ishim mjaft kurioze për të ndjekur procesin nga lënda e parë , në analizat laboratorike dhe ftohja e qumështit nën 4°C, te trajtimet termike si pasterizimi dhe homogjenizimi. Në linjat e përpunimit studiohen reaksionet biokimike që transformojnë qumështin, si fermentimi laktik për kosin dhe koagulimi enzimatik për djathin. Cikli mbyllej me paketimin në kushte sterile dhe ruajtjen e produkteve në ambient të ftohtë deri te konsumatori.




