CV Sandër KOVAÇI

Edukimi

U lind në Mirditë, më 1970. Diplomuar për Matematikë të Aplikuar (sistemi 5-vjecar, 1989-1994), në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës (UT), ku merr titullin “Matematikan”, si dhe për Juridik në  Fakultetin e Drejtësisë të UT (2001). Merr titullin Mastër nga Universiteti i Triestes, Itali (2003-2004) për Hartografi Digjitale dhe GIS, si dhe laurohet në Matematikë (sistemi i vjetër 4-vjeçar) në po këtë universitet (2004). Merr titullin “Doktor i Shkencave Matematike” nga Universiteti Politeknik i Tiranës, duke mbrojtur disertacionin me temë: “Modelimi i të dhënave hapësinore ambientale me anë të rrjetave neurale artificiale dhe teknologjisë GIS” (2010), dhe titullin akademik “Profesor i Asociuar” (2016).

Punësimi dhe funksione akademike

Emërohet si asistent në Departamentin e Matematikës dhe Informatikës në Universitetin Politeknik të Tiranës (UPT), më 1998 dhe më vonë si Lektor i matematikës në Departamentin e Inxhinierisë Matematike (DIM), në Fakultetin e Inxhinierisë Matematike dhe Inxhinierisë Fizike në UPT ku dhe vijon. Ka një përvojë mbi 20-vjeçare si pedagog matematike në fakultete të ndryshme të Universitetit Politeknik të Tiranës. Ka kontribuar si lektor i Analizës Matematike 1, 2, 3, Algjebër dhe Gjeometrisë Analitike, Informatikës, Matematikës Financiare dhe Legjislacionit në Ndërtim. Gjithashtu, është angazhuar si lektor i Matematikës në degën e Arkitekturës në Albanian University, si dhe Matematikës së Aplikuar dhe Statistikës në Universitetin Europian të Tiranës.

Aktiviteti shkencor

Ka kryer kërkime dhe specializime pasuniversitare në disa universitete, si në Imperial College London (Britani); në Universitetin e Pizës (Itali); në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare Kuala Lumpur (Malajzi); në Mynih (Gjermani), etj.

Është autor i parë dhe bashkautor i mbi 30 artikujve shkencorë dhe referimeve kombëtare e ndërkombëtare, në fushën e matematikës së zbatuar dhe statistikës, botuar në revista shkencore, si dhe i 9 teksteve shkollorë e universitarë në fushën e matematikës.

Fusha e interesit: Sistemet Informative, Matematikë e zbatuar, Statistikë dhe modele