Prof.Dr. Silvana Vishkurti është pedagoge e gjuhës frënge pranë Qendrës së Gjuhëve të Huaja, në Fakultetin e Inxhinierisë Matematike dhe të Inxhinierisë Fizike (FIMIF), në Universitetin Politeknik të Tiranës.
Në vitin 2016 ka marrë titullin “Profesor” në fushën e Shkencave Gjuhësore në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Departamenti i Gjuhës Frënge në Universitetin e Tiranës. Në vitin 2011, ka mbrojtur titullin “Profesor i Asociuar”, pranë FIMIF, në Universitetin Politeknik të Tiranës. Në vitin 2006 ka marrë gradën “Doktor i shkencave” në fushën e komunikimit në gjuhën shqipe dhe atë frënge pranë Universitetit të Tiranës. Studimet e saj të larta i ka mbaruar në vitin 1990 në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës ku dhe është diplomuar si “Mësuese e gjuhës dhe letërsisë franceze”.
Gjatë vitit shkollor 1990-1991 punon si mësuese e gjuhës frënge në shkollën “Hamdi Kullafi”, Letëm, Librazhd. Gjatë periudhës 1991-1993 punon si pedagoge e jashtme pranë Departamentit të gjuhës frënge në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës. Që prej vitit 1993 e deri më tani, është pedagoge me kohë të plotë pranë Qendrës së Gjuhëve të huaja pranë FIMIF, në Universitetin Politeknik të Tiranës. Gjatë kësaj periudhe, në nivelin Bachelor dhe Master, ka qenë apo dhe është titullare e lëndëve të tilla si: Gjuhë frënge e komunikimit profesional (UPT), Kulturë evropiane (UPT), Komunikimi dhe menaxhimi inxhinierik (UPT), Komunikimi dhe kërkimi shkencor (UPT), Gjuha frënge si gjuhë e huaj (UT), Hyrje në psikologjinë e marrëdhënieve sociale (UT), Tipologji teksti (UT), Komunikimi ndërpersonal dhe komunikimi me anë të reklamës (UT).
Ajo ka qenë anëtare e grupit të cilësisë (2010-2011), FIMIF, UPT. Gjatë periudhës 2009-2020 ka qenë përgjegjëse e grupit kërkimor të gjuhëve të tjera përveç anglishtes pranë Qendrës së Gjuhëve të Huaja (UPT) si dhe anëtare e Këshillit të Profesorëve (2016-2019), FIMIF, UPT.
Në veprimtarinë e saj botuese përfshihet botimi i tre librave në fushat ku ajo e ushtron veprimtarinë e saj mësimdhënëse e kërkimore. Ajo është redaktore dhe reçensente e mjaft botimeve në fushën e gjuhës në përgjithësi dhe të asaj terminologjike në veçanti. Ajo ka marrë pjesë në dy projekte të mbështetura nga Agjensia Universitare e Frankofonisë (AUF) dhe Qendra frankofone për Evropën Qendrore dhe Juglindore (CREFECO). Ajo është gjithashtu Formatore e AUF.
Në veprimtarinë e saj kërkimore numërohen më shumë se 16 artikuj dhe 26 konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit. Fushat aktuale të kërkimit janë: “Ndikimi i aftësive shumëgjuhëshe në mësimin e gjuhës frënge”, “Shkrimet profesionale në ndërmarrje” si dhe “Veçori të komunikimit me anë të reklamës në Shqipëri gjatë periudhës së dy luftrave botërore”.
Choose our university for high-quality education, practical opportunities, and comprehensive support in your academic and professional development.
© 2025 All Rights Reserved – Designed and Developed by INSTANT.AL