DEPARTAMENTI I INXHINIERISE KIMIKE

Departamenti i Inxhinierisë Kimike në Universitetin Politeknik të Tiranës ka si synim të ofrojë një edukim të thelluar dhe cilësor në fushën e inxhinierisë kimike, duke përgatitur profesionistë të kualifikuar, të pajisur me aftësitë teorike dhe praktike për të trajtuar dhe zgjidhur probleme komplekse në industrinë kimike dhe sektorë të tjerë të lidhur me të.

Objektivat kryesore të departamentit janë

Formimi i inxhinierëve të kualifikuar: Ofrimi i një edukimi të thelluar dhe praktik në fushën e inxhinierisë kimike, veçanërisht në dizajnimin, optimizimin dhe kontrollin e proceseve kimike industriale.
Zhvillimi i kërkimit shkencor dhe aplikimeve të reja në fusha të tilla si: proceset kimike industriale, mbrojtja e mjedisit dhe korrozioni, zhvillimi i teknologjive të qëndrueshme, inxhinieria e materialeve, energjia dhe burimet natyrore, etj.
Përgatitja për sfida profesionale dhe kontribuimi/bashkëpunimi me industrinë në fusha të rëndësishme si: petrokimia, farmaceutika, ushqimi dhe siguria ushqimore, industria e materialeve, energjia dhe mjedisi.

Departamenti i Inxhinierisë Kimike luan një rol të rëndësishëm në lidhjen e teorisë kimike me praktikat industriale dhe inxhinierike, duke ofruar një edukim të integruar që mbulon aspekte të ndryshme të proceseve kimike, projektimit të sistemeve inxhinierike dhe menaxhimit të proceseve industriale. Ai gjithashtu ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin e teknologjive të qëndrueshme dhe risive në sektorët si energjia e rinovueshme, menaxhimi i mbetjeve dhe teknologjitë e pastrimit të ujërave.

Nëpërmjet përmirësimit të metodave didaktike të mësimdhënies, si dhe përmirësimit e përsosjes së infrastrukturës dhe kapaciteteve teknike të kërkimit shkencor, Departamenti i Inxhinierisë Kimike synon të bëhet një strukturë e rëndësishme referuese për metodat e mësimdhënies në kimi, për vlerësimin, kontrollin e monitorimin e parametrave të ndryshëm mjedisorë, si dhe kontribuese në rrjetin kombëtar dhe ndërkombëtar të institucioneve shkencore të angazhuara në fushat përkatëse të ekspertizës.

Ky departament mbulon gjithë disiplinat e Kimisë që zhvillohen në të gjitha programet e studimit të Universitetit Politeknik të Tiranës.