Është diplomuar në Matematikë të Aplikuar (cikël i integruar 5-vjeçar, 1999–2004) në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës (UT).
Në vitet 2005–2008 ka ndjekur studimet pasuniversitare në të njëjtin fakultet, ku ka fituar titullin “Mastër” në Modele Dinamike Ekonometrike.
Në vitin 2016 ka përfunduar studimet e doktoraturës pranë Universitetit Politeknik të Tiranës (UPT), duke mbrojtur disertacionin me temë “Modelimi i Aksidenteve Rrugore me Metoda Statistikore dhe GIS” dhe duke marrë gradën “Doktor i Shkencave”.
Në vitin 2025 i është akorduar titulli akademik “Profesor i Asociuar”.
Karrierën akademike e ka nisur në vitin 2004, si asistent pedagoge në Departamentin e Matematikës dhe Informatikës në Universitetin Politeknik të Tiranës. Më pas është emëruar lektore në Departamentin e Inxhinierisë Matematike (DIM), Fakulteti i Inxhinierisë Matematike dhe Inxhinierisë Fizike në UPT, ku vijon të ushtrojë veprimtarinë e saj akademike.
Ka një përvojë shumëvjeçare si pedagoge e matematikës në fakultete të ndryshme të UPT-së, ku ka kontribuar në mësimdhënien e lëndëve Analizë Matematike 1 dhe 2, Matematikë 1 dhe 2, si edhe Probabilitet–Statistikë, Procese Stokastike. Paralelisht, ka qenë e angazhuar si lektore e Probabilitetit në Universitetin Metropolitan të Tiranës (Fakulteti i Inxhinierisë), si dhe lektore e Matematikës së Aplikuar në Universitetin Europian të Tiranës (Fakulteti i Ekonomisë).
Është autore e parë dhe bashkëautore e mbi 30 artikujve shkencorë në fushën e matematikës së zbatuar, të botuar në periodikë shkencorë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, një pjesë e mirë e të cilëve të indeksuar në Web of Science dhe/ose Scopus. Ka marrë pjesë si referuese në mbi 30 konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, si autore e parë dhe bashkëautore.
Është bashkëautore e disa teksteve shkollorë dhe universitarë në fushën e matematikës. Vepron si recensuese dhe anëtare e bordeve editoriale të disa revistave ndërkombëtare të indeksuara në Web of Science dhe/ose Scopus. Ka kontribuar gjithashtu në hartimin dhe rishikimin e programeve mësimore në fushën e matematikës dhe statistikës së aplikuar.
Analiza e të dhënave, modelime matematikore dhe analiza statistikore, me fokus të veçantë në aplikimet në sigurinë rrugore, epidemiologji të dëmtimeve dhe sisteme inxhinierike.
Zgjidhni universitetin tonë për një edukim të cilësisë së lartë, mundësi praktike dhe mbështetje të plotë në zhvillimin tuaj akademik dhe profesional.
© 2025 Të Gjitha të Drejtat e Rezervuara – Designed and Developed by INSTANT.AL