
Me pikëllim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të Prof. Dr. Kostaq Hilës
Sot humbi një nga figurat më të respektuara të akademisë shqiptare.
Prof. Dr. Kostaq Hila u nda nga jeta, duke lënë pas një trashëgimi të pasur shkencore dhe arsimore që do të mbetet gjithmonë e gjallë në kujtesën tonë.
Prof. Hila ishte një studiues i shquar i matematikës së aplikuar, me kontribute të dalluara në teorinë e strukturave algjebrike dhe jo vetëm. Puna e tij shkencore, e materializuar në më shumë se 140 publikime në revista të indexuara ndërkombëtarisht, e vendosi atë në radhën e matematikanëve më të respektuar në arenën botërore.Si pedagog me dhunti të rralla, Prof. Hila formoi breza të tërë inxhinierësh dhe matematikanësh, duke transmetuar jo vetëm njohuri teknike, por edhe metoda rigoroze kërkimi dhe pasion për kërkimin shkencor. Mentorimi i tij ndaj studentëve të doktoraturës dhe bashkëpunimi i tij me institucione prestigjioze ndërkombëtare, kanë kontribuar në ngritjen e profilit kërkimor të universitetit tonë.Angazhimi i tij, si Kryetar i Komisionit për Promovimin e Personelit Akademik dhe anëtar i Senatit Akademik UPT, dëshmon përkushtimin e tij ndaj zhvillimit institucional dhe përmirësimit të standardeve akademike.
Prof. Hila do të mbahet mend si një intelektual i vërtetë, një kërkues i paepur i së vërtetës shkencore dhe një kontribues i pazëvendësueshëm në misionin tonë arsimor dhe kërkimor.
I shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij dhe të gjithë atyre që e njihnin dhe e vlerësonin.
Prehu në paqe, Profesor!
Kontributi juaj do të jetë i pavdekshëm.