Një Rrugëtim i Jashtëzakonshëm nga FIMIF!

Xhulia Dosti ka ndjekur studimet BachelorInxhinieri Fizike gjatë viteve 2016-2019 në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, dhe më pas përfundoi Master Shkencor në të njëjtën fushë gjatë viteve 2019-2021 pranë Fakultetit të Inxhinierisë Matematike dhe Inxhinierisë Fizike .

Që në hapat e parë të studimeve, Xhulia kishte një ëndërr të madhe: të bëhej Fizikante. Ajo e kishte planifikuar me kujdes rrugëtimin e saj dhe e dinte që do të kërkonte angazhim të madh dhe vullnet të fortë.

Kjo ëndërr filloi të marrë formë kur ajo fitoi konkursin për pozicionin e Specialistes në Zyrën e Radiombrojtjes në QSUT. Pas një procesi konkurrues, ajo u bë pjesë e stafit, dhe shumë shpejt, falë përkushtimit dhe profesionalizmit, u emërua Përgjegjëse e Zyrës së Radiombrojtjes.

Në tetor të vitit 2020, Xhulia filloi të kontribuojë si pedagoge e jashtme në Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike, duke ndarë njohuritë dhe përvojat e saj me brezin e ri të studentëve.

Një tjetër mundësi e shkëlqyer erdhi kur ajo u angazhua në spitalin privat “Zoja e Këshillit të Mirë” si Fizikante, duke ndihmuar në krijimin dhe zhvillimin e teknologjive të rëndësishme për kujdesin mjekësor.

Por rrugëtimi i saj nuk përfundoi këtu. Xhulia fitoi të drejtën për studime të Nivelit të Tretë në ICTP, Universiteti i Triestes në Itali, ku po përgatitet për hapat e ardhshëm në karrierën e saj të ndritur.

Aktualisht, ajo punon në Royal Berkshire Hospital në Reading, UK, duke kontribuar në fushën e fizikës mjekësore dhe duke shërbyer si një shembull frymëzimi për të gjithë ata që duan të ndjekin një karrierë shkencore dhe profesionale.

“Mos u ndalni kurrë së ndjekuri ëndrrat tuaja. E ardhmja është e juaja për ta krijuar!” – Xhulia