Njoftim: Sesion Informues për Startup-et – Grant2025 – nga Agjencia Shtetërore Startup Albania

Agjencia Shtetërore Startup Albania, në bashkëpunim me Universitetin Politeknik të Tiranës, ditën e mërkurë, datë 11 dhjetor 2024, ora 11.00, në sallën Aula Magna të UPT – së, do të organizojnë një sesion informues për studentët dhe stafin akademik, për mundësinë e financimit të ideve novatore, nëpërmjet masave mbështetëse me Grante për startup-et në vendin tonë.

Agjencia Shtetërore Startup Albania, një institucion nën vartësinë e Ministrisë së Sipërmarrjes dhe Klimës së Biznesit, ka si mision zhvillimin e ekosistemit sipërmarrës nëpërmjet inkurajimit të sipërmarrësve dhe të investitorëve, si dhe politikave lehtësuese që synojnë të rrisin konkurencën ekonomike të ekosistemit shqiptar nëpërmjet inovacionit.

Thirrja për aplikime do të qëndrojë e hapur për 30 ditë nga data e lançimit dhe fondi total i financimit është 300 milionë lekë. Në takimin informues do të ofrohen detaje mbi procesin e aplikimit, përfitimet e kësaj skeme dhe mënyrat se si stafi akademik mund të bëhet pjesë e saj.

Ky aktivitet synon të nxisë idetë sipërmarrëse brenda komunitetit universitar, si dhe të forcojë urat e bashkëpunimit mes akademisë dhe mjedisit sipërmarrës.

Janë të ftuar të marrin pjesë në takim studentë dhe staf nga Universiteti Politeknik i Tiranës.