Historiku i Fakultetit

Historiku i Fakultetit të Inxhinierisë Matematike dhe Inxhinierisë Fizike

Fakulteti i Inxhinierisë Matematike dhe Inxhinierisë Fizike është ndër fakultetet më të rinj të Universitetit Politeknik të Tiranë. Përpjekjet për krijimin e këtij fakulteti datojnë në 4 Tetor të vitit 2004, me Urdhërin e Rektorit Prof. Dr. Përparim Hoxha, Nr. 83 Prot., për “Ngritjen e Grupit të punës për riorganizimin e Departamenteve pranë Rektoratit në përputhje me objektivat e reformimit të Universitetit sipas parimeve të procesit të Bolonjës”. Në përbërje të grupit të punës u zgjodhën anëtarë të departamenteve pranë Rektoratit, përkatësisht të Departamentit të Matematikës dhe Informatikës, Departamentit të Fizikës dhe Departamentit të Kimisë. Grupi i punës, i cili u kryesua nga Prof. Dr. Shpëtim LEKA dhe ku bënin pjesë, Prof. Dr. Lumturi KAPLLANI, Prof. Dr. Tatjana MULAJ, Prof. Asoc. Engjëllushe LUZI, Prof. Dr. Shpëtim SHEHU, Prof. Dr. Lulzim HANELLI dhe Prof. Asoc. Petrit BERHAMI, bazuar në përvojën e Universiteteve Politeknike të vendeve të ndryshme të botës, veçanërisht të Universitetit Politeknik të Milanos dhe Torinos propozuan hapjen e dy diplomave të reja ndërdisiplinore, përkatësisht: Inxhinieri Matematike, pranë Departamentit të Matematikës dhe Informatikës dhe Inxhinieri Fizike, pranë Departamentit të Fizikës.

Ky propozim u miratua nga Senati i UPT-së, në Vendimin Nr. 17, datë 04.05.2005 dhe më pas nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Z. Luan MEMUSHI, në shkresën me Nr. 5354 Prot., e 5355, datë 22.08.2005.

Kështu, në vitin akademik 2005-2006, filluan për herë të parë përkatësisht pranë:

• Departamentit të Matematikës dhe Informatikës, me 32 pedagogë të brendshëm dhe 26 të jashtëm, Programi i Studimeve të Ciklit të Parë, me kohëzgjatje 3-vjeçare, Inxhnieri Matematike, me 31 studentë;

• Departamentit të Fizikës, me 16 pedagogë të brendshëm dhe 32 të jashtëm, Programi i Studimeve të Ciklit të Parë, me kohëzgjatje 3-vjeçare, Inxhnieri Fizike, me 30 studentë.

Në përputhje me strategjinë e UPT-së, që përfshin mësimdhënien dhe kërkimin shkencor, sigurimin e shërbimeve si dhe plotësimin e nevojave të studentëve të UPT-së, si dhe në kuadër të implemetimit të Deklaratës së Bolonjes, krahas përgatitjeve që synonin organizime të reja bashkëkohore të kurrikulave, ishte më se e domosdoshme edhe riorganizimi i fakulteteve të vetë UPT-së.

Në vitin 2006, grupi i zgjeruar i punës, që tashmë kishte në përbërje edhe drejtuesit e fakulteteve të Inxhinierisë Mekanike, Inxhinierisë Elektrike, Inxhinierisë së Gjeologji-Minierave, Inxhinierisë së Ndërtimit, si dhe kancelaren e UPT, propozoi:

Hapjen e Fakultetit të Inxhinierisë Matematike dhe Inxhinierisë Fizike në Universitetin Politeknik të Tiranës.

me mision:

  • Përgatitjen në këto dy fusha të inxhinierëve cilësorë, të aftë për t’u integruar në tregun specifik të punës (të brendshëm dhe të jashtëm);
  • Mbulimin e ngarkesës mësimore në të gjitha disiplinat matematike dhe fizike për Universitetin Politeknik.

Ky propozim u miratua nga Senati i UPT-së, me Vendimin Nr. 6, datë 03.03.2006.

Në Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 824, datë 05.12.2007, “Për Krijimin e disa njësive kryesore, fakultete në Universitetin Politeknik të Tiranës”, miratohet krijimi i Fakultetit të Formimit të Përgjithshëm, si fakultet i asociuar, në përbërje të të cilit përfshihen:

Departamenti i Fizikës dhe Kimisë; Departamenti i Matematikës, si dhe Qendra e Gjuhëve të Huaja, duke konsideruar diplomat e Inxhinierisë Matematike dhe Inxhinierisë Fizike si diploma ndërdisipinore.

Dekane e parë e këtij Fakulteti emërohet Prof. Dr. Tatjana MULAJ.

Por emërtimi, Fakultet i Formimit të Përgjithshëm, dhe statusi i dhënë këtij fakulteti nuk përputheshim me vizionin e grupit të punës dhe misionin për të cilin u propozua krijimi i Fakultetit të Inxhinierisë Matematike dhe Inxhinierisë Fizike.

Dekanati, Këshilli dhe stafi akademik i Fakultetit, të mbështetur nga studentët, si dhe nga Rektorati i UPT-së, gjatë periudhës janar 2008 – prill 2009, me shkresa zyrtare si dhe takime të vazhdueshme edhe në instancat më të larta shtetërore, duke argumentuar se FFP, si fakultet i asociuar, e kishte të pamundur të realizonte misionin e përgatitjes të inxhinierëve cilësorë në fushat e inxhinierisë matematike dhe inxhinierisë fizike, të aftë për t’u integruar në tregun specifik të punës (të brendshëm dhe të jashtëm), ka kërkuar:

Të ndryshojë statusi dhe emërtimi i Fakultetit të Formimit të Përgjithshëm.

Përpjekjet këmbëngulëse, të vazhdueshme, të drejta dhe argumentuese të Dekanatit, Këshillit dhe stafit akademik të Fakultetit, u kurorëzuan me daljen e Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 345, datë 08.04.2009 ku miratohet Krijimi i Fakultetit të Inxhinierisë Matematike dhe Inxhinierisë Fizike, që ka në përbërje:

i. Departamentin e Inxhinierisë Matematike;

ii. Departamentin e Inxhiniersië Fizike;

iii. Departamentin e Kimisë;

iv. Qendrën e Gjuhëve të Huaja

me dy diploma në Inxhinieri Matematike dhe Inxhinieri Fizike.

Dekan i Fakultetit të Inxhinierisë Matematike dhe Inxhinierisë Fizike zgjidhet Prof. Dr. Shpëtim LEKA.

Pesoneli akademik i FIMIF, duke u bazuar në përvojën e Universiteteve Politeknike të vendeve të tjera, veçanërisht të Universitetit Politeknik të Milanos e Torinos, si dhe në përvojën dhe kuafikimin e anëtarëve të stafit akademik, është anagazhuar gjatë viteve në vijim për plotësimin e misionit të këtij fakulteti për përgatitjen e inxhinierëve cilësorë në të dy fushat e saj të Inxhinierisë Matematike dhe Inxhinierisë Fizike, të aftë për t’u integruar në tregun specifik të punës.

Për realizimin e këtij misioni ishte i domosdoshëm thellimi i njohurive të fituara në ciklin e parë, nëpërmjet programeve të studimit të Ciklit të Dytë Master i Shkencave dhe të Ciklit të Tretë Doktoraturë. Këto prgrame synonin përgatitjen e inxhinierëve cilësorë me formim ndërdisiplinor, të aftë për t’u përballur me probleme që përdorin metodologji dhe mjete të ofruara nga sektorë të ndryshëm të Matematikës së Aplikuar si dhe të gatshëm për të përballuar futjen e teknologjive të reja dhe komplekse, duke shfrytëzuar në mënyrë inxhinierike metodologjitë që ofrojnë sektorët e ndryshëm të Fizikës së Zbatuar.

Kështu, bazuar në VKM-në, Nr. 910, datë 26.08.2009, “Për hapjen e programeve të Studimit të Ciklit të Dytë, në Universitetin Politeknik të Tiranës”, nisi në vitin akademik 2009-2010 rrugëtimi i programeve të Studimit të Ciklit të Dytë:

  • Master i Shkencave në Inxhinieri Matematike, me 21 studentë
  • Master i Shkencave në Inxhinieri Fizike, me 18 studentë.

Në zbatim të Urdhërit, të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Z. Myqerem Tafaj, Nr. 605, datë 29.12.2010, filluan në vitin akademik 2010-2011, Programet e Studimit të Ciklit të Tretë, të hartuara sipas Ligjit Nr.9741, datë 21.5.2007 “Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar”:

  • Doktoraturë në Inxhinieri Matematike (në dy drejtime; Analizë Numerike dhe Ekuacione diferenciale / Kërkime Operacionale dhe Statistikë), me 17 studentë.
  • Doktoraturë Inxhinieri Fizike (në dy drejtime; Optikë e zbatuar / Fizika e Materialeve), me 11 studentë.

Studimet e Ciklit të tretë synonin përgatitjen e mëtejshme nga ana shkencore në fushën e Analizës numerike dhe Ekuacioneve Diferenciale, të Kërkimeve Operacionale dhe Statistikë, si dhe në fushën e Optikës së Zbatuar dhe të Fizikës së Materialeve.

Duke patur parasysh nevojat e reja të tregut të punës si dhe mungesën e profesionistëve, të aftë të përballen me koncepte bashkëkohore, si dhe me zgjidhjen e problemeve që lidhen, ndër të tjera, me menaxhimin e sistemeve komplekse; trajtimet klinike dhe kontrollin e cilësisë së pajisjeve mjekësore; analizën e pasojave financiare të riskut, nëpërmjet matematikës, statistikës dhe teorive financiare, u hartuan programet e Studimit të Ciklit të Dytë Master Profesional në:

  • Inxhinieri Matematike në Analiza Sistemesh
  • Inxhinieri Fizike në Mjekësi
  • Inxhinieri Matematike Profili Aktuaristikë

Bazuar në Urdhërin e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Z. Myqerem Tafaj, Nr. 597, datë 09.12.2011, “Për hapjen e programeve të Studimit të Ciklit të Dytë Master Profesional, të Universitetit Politeknik të Tiranës”, në vitin akademik 2012-2013, filluan Programet e Studimit të Ciklit të Dytë, të hartuara sipas Ligjit Nr. 9741, datë 21.5.2007 “Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar”:

  • Master Profesional në Inxhinieri Matematike në Analiza Sistemesh me 14 studentë.
  • Master Profesional në Inxhinieri Fizike në Mjekësi me 12 studentë.

Ndërsa në vitin akademik 2015-2016, në zbatim të Urdhërit të Ministrit të Arsimit dhe Sportit, Znj. Lindita Nikolla, Nr. 274, datë 20.07.2015, “Për hapjen e programit të Studimit të Ciklit të Dytë Master Profesional në Inxhinieri Matematike me Profil Aktuaristikë, në Universitetin Politeknik të Tiranës”, filloi Programi i Studimit të Ciklit të Dytë,

  • Master Profesional në Inxhinieri Matematike Profili Aktuaristikë me 28 studentë.

Bazuar në Urdhërin e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Znj. Evis Kushi, Nr. 334, datë 04.07.2023, “Për hapjen e programeve të Studimit të Ciklit të Parë “Bachelor” Në Inxhinieri Kimike”, në Universitetin Politeknik të Tiranës”, në vitin akademik 2023-2024, filloi Programi i Studimit të Ciklit të Parë, i hartuar sipas Ligjit Nr. 80/2015, datë 22.07.2015 “Për Arsimin e Lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”:

  • “Bachelor” në Inxhinieri Kimike.

Gjatë këtyre viteve personeli akademik ka punuar me përkushtim për transmetimin tek studentët të një informacioni sa më cilësor e bashkëkohor në të gjitha disiplinat mësimore e lëndët me karakter të theksuar praktik, duke realizuar ciklin informacion-njohuri-dije-aftësi.

Krahas mësimdhënies, një prej dimensioneve të rëndësishme në FIMIF është kërkimi shkencor në përputhje me filozofinë dhe misionin e UPT-së, në përputhje me interesat e universitetit, të personelit akademik dhe të studentëve. Synimi kryesor i veprimtarisë kërkimore shkencore ka qenë dhe mbetet përmirësimi i vazhdueshëm i përmbajtjes së procesit mësimor, si edhe ngritjes së vazhdueshme të standardeve akademike në FIMIF. Mbështetur në objektivat dhe qëllimet e veprimtarisë kërkimore shkencore, si dhe në parimin e lirisë së ushtrimit të veprimtarisë shkencore dhe mësimdhënies akademike, personeli akademik i FIMIF ka realizuar një punë hulumtuese sistematike për kërkimin dhe zhvillimin e njohurive të reja, shfrytëzimin dhe zbatimin e tyre në praktikë. Gjithashtu vëmendje i është kushtuar edhe transferimit të dijeve nëpërmjet publikimit të rezultateve në revista shkencore dhe pjesëmarrjes në konferenca kombëtar dhe ndërkombëtare. Publikimi i rezultateve të punës kërkimore në revistave shkencore dhe pjesëmarrjes në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare, të vlerësuara nga personeli akademik si nxitje e debatit shkencor jo vetëm mes komunitetit akademik të fakultetit, por edhe dhe atij shqiptar e të huaj, është shoqëruar me një numër të konsiderueshëm prezantimesh dhe botimesh cilësore, duke ndikuar në kualifikimin e vazhdueshëm shkencor të personelit akademik.

Veprimtaria mësimore dhe kërkimore në fakultet është realizuar si nëpërmjet bashkëpunimit me Institucionet e Arsimit të Lartë brenda dhe jashtë vendit, me institucionet e tjera shtetërore, organizata profesionale dhe komunitetin e biznesit, ashtu edhe nëpërmjet projekteve kombëtare dhe ndërkombëtare

Sot personeli akademik i fakultetit përbëhet nga 40 anëtarë që i përkasin kategorisë Profesorë (me tituj akademik Profesor, Profesor i Asociuar), 23 anëtarë të kategorisë Lektor (me gradë shkencor Doktor), 7 anëtarë të kategorisë Asistent – Lektor (me diplomë Master i Shkencave).

Gjatë këtyre 17 viteve funksionim të fakultetit, përveç personelit akademik aktual, kanë dhënë kontributin e tyre të çmuar edhe mjaft profesorë të njohur si psh.: Prof. Dr. Shpëtim Leka, Prof. Dr. Jorgo Malita, Prof. Dr. Avdyl Haxhimusai, Prof. Dr. Vladimir Jorgji, Prof. Dr. Viktor Kabili, Prof. Dr. Kristaq Filipi, Prof. Dr. Shpëtim Bozdo, Prof. Dr. Margarita Qirko, Prof. Dr. Shpëtim Shehu, Prof. Asoc. Luigj Gjoka, Prof. Asoc. Ligor Nikolla, Prof. Dr. Agron Tato, Prof. Dr. Tatiana

Mulaj, Prof. Dr. Pëllumb Berberi, Prof. Dr. Afërdita Veveçka, Prof. Asoc. Ilir Vullkaj, Prof. Asoc. Petrit Berhami, Prof. Asoc. Elenica Angjeli, Prof. Asoc. Engjëllushe Luzi, Prof. Asoc. Edlira Mulla, Dr. Edmond Frashëri, Prof. Vasil Zejno, Koço Zhuka, Vladimir Suljoti, Dr. Syti Hysko, Prof. Dr. Elton Pasku.

 

FIMIF gjatë këtyre viteve është drejtuar nga Dekani i Fakultetit, i mbështetur nga zëvendës dekanët si dhe drejtuesit e departamenteve:

  • Dekani Fakultetit

– Prof. Dr. Tatjana MULAJ 2007 – 2009
– Prof. Dr.Shpëtim LEKA 2009 – 2014
– Prof. Asoc. Ligor NIKOLLA 2014 – 2020
– Prof. Dr. Shkëlqim KUKA 2020-2024
– Prof. Dr. Kostaq HILA 2024-në vazhdim

  • Zëvendës Dekan i Fakultetit

– Prof. Asoc. Ligor NIKOLLA 2007 – 2009
– Prof. Dr. Tatjana MULAJ 2009 – 2014
– Prof. Asoc. Dhurata KUQI 2014 në vazhdim
– Prof. Asoc. Valbona LAME (MUDA)2020-2024
– Prof. Asoc. Teuta MYFTIU (BUDLLA) 2024- në vazhdim

  • Drejtues i Departamentit të Matematikës/Inxhinierisë Matematike:

– Prof. Dr.Shpëtim LEKA 2008 – 2009
– Prof. Asoc. Ligor NIKOLLA 2009 – 2014
– Dr. Adrian NAÇO 2014 – 2016
– Prof. Dr. Shkëlqim KUKA 2016 – 2020
– Prof. Dr. Luela PRIFTI 2020-2024
– Prof. Asoc. Alfred DACI 2024-në vazhdim

  • Drejtues i Departamentit të Fizikës dhe Kimisë

– Prof. Dr. Pëllumb BERBERI 2008 – 2009
– Prof. Asoc. Petrit BERHAMI 2009

  • Drejtues i Departamentit të Inxhinierisë Fizike

– Prof. Asoc. Petrit BERHAMI 2009
– Prof. Asoc. Dhurata KUQI 2009 – 2013
– Prof. Dr. Partizan MALKAJ 2013 – 2020
– Prof. Asoc. Altin GJEVORI 2020 në vazhdim

  • Drejtues i Departamentit të Kimisë/ Inxhinierisë Kimike

– Prof. Asoc. Rajmonda LILO 2009 – 2020
– Prof. Asoc. Edlira BARAJ 2020 në vazhdim

  • Drejtues i Qendrës së Gjuhëve të Huaja

-Prof. Dr. Fatmir VRAPI 2008 në vazhdim