Në ambientet e Fakultetit të Inxhinierisë Matematike dhe Inxhinierisë Fizike (FIMIF) u zhvillua një leksion i hapur me temë tranzicionin nga disiplinat shkencore drejt sistemeve digjitale, një çështje me rëndësi të veçantë në kontekstin e zhvillimeve të shpejta teknologjike.
I ftuari special i këtij aktiviteti ishte z. Thoma Papadhimitri, administrator dhe themelues i kompanisë ATIS, i cili zhvilloi një bashkëbisedim të hapur me studentët dhe stafin akademik. Gjatë fjalës së tij, ai ndau përvojën profesionale dhe vuri në dukje rolin thelbësor të mendimit inxhinierik në zhvillimin e software-it dhe të Inteligjencës Artificiale.
Në fokus të diskutimit ishte rëndësia e bazave të forta në matematikë dhe fizikë, të cilat përbëjnë një avantazh konkurrues për studentët në përballimin e sfidave komplekse të teknologjisë moderne dhe në ndërtimin e një karriere të suksesshme në fushat digjitale.
Ky aktivitet u ofroi pjesëmarrësve një perspektivë të qartë mbi orientimin e karrierës, si dhe mbi mundësitë që ofron tregu i punës për profilet e diplomuara në FIMIF.
Fakulteti i Inxhinierisë Matematike dhe Inxhinierisë Fizike shpreh mirënjohjen për përfaqësuesit e kompanisë ATIS për bashkëpunimin e vlefshëm dhe kontributin në frymëzimin e studentëve drejt inovacionit dhe inxhinierisë moderne.






