Gjatë vizitës studimore në Fabrikën e Çimentos “Colacem sh.p.k.”, studentët e Viti II të Programitt e Studimit “Bachelor në Inxhinieri Kimike” u njohën me procesin teknologjik të prodhimit të çimentos, duke filluar nga përpunimi i lëndëve të para deri te prodhimi dhe paketimi i produktit final. U prezantuan pajisjet kryesore industriale, furrat e klinkerit, si dhe salla e kontrollit dhe automatizimit të procesit, ku monitorohen dhe menaxhohen parametrat kryesorë të prodhimit. Gjithashtu, studentët vizituan laboratorin e analizave, ku u njohën me procedurat e kontrollit të cilësisë së lëndëve të para dhe produktit final. Vizita u lidh ngushtë me njohuritë teorike të lëndës së teknologjisë inorganike, duke konkretizuar proceset termo-kimike dhe transformimet minerale që ndodhin gjatë prodhimit të çimentos. Vëmendje iu kushtua edhe sistemeve për kontrollin e pluhurave dhe trajtimin e emetimeve në ajër, në funksion të respektimit të standardeve mjedisore.





